Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një intervistë për VOX Kosova, ka thënë se kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, është “profesionist në bllokada”.
“Domethënë, janë profesionistë në bllokada të proceseve për këdo që nuk është pjesë e Vetëvendosjes. Dhe, normalisht, në momentin që e kam kuptuar se kjo është një mendësi e qëllimshme dhe e mbrapshtë, është dashur të ndërmarr masa dhe të alarmoj qytetarët se kjo është duke ndodhur. Për fat të keq, kjo vazhdon të ndodhë. Së fundmi kemi pasur edhe bllokada të ndryshme, përfshirë edhe atë të buxhetit të kryeqytetit”, tha Rama.
Rama theksoi se dy vitet e fundit i ka humbur duke u përpjekur të bashkëpunojë me Lëvizjen Vetëvendosje, me bindjen fillestare se mosmarrëveshjet burojnë nga mungesa e përvojës dhe jo nga qëllime bllokuese.
“Në fillim nuk kam besuar se janë bllokues. Kam menduar se ndoshta nuk dinë dhe po bëjnë gabime, jo se kanë dëshirë të bllokojnë. Por me kohë e kam kuptuar që ata, në të vërtetë, merren në mënyrë strategjike me bllokada”, shtoi.
“Në momentin që e kam kuptuar se kjo është një mendësi e qëllimshme dhe e mbrapshtë, është dashur të ndërmarr masa dhe të alarmoj qytetarët se kjo është duke ndodhur”, theksoi i pari i Prishtinës.








