Nga Aleanca kanë thënë se në vitin 2025 u importuan 6.1 miliardë euro më shumë sesa u eksportuan, duke theksuar se fermerët dhe prodhuesit vendorë vazhdojnë të përballen me kosto të larta e mbështetje që s’mjafton.
“Për çdo 1 euro që shesim jashtë, blejmë 7,5 euro nga jashtë. Në vitin 2025, importuam 6,1 miliardë euro më shumë sesa eksportuam, ndërsa fermerët dhe prodhuesit tanë vazhdojnë të përballen me kosto të larta e mbështetje të pamjaftueshme”, kanë thënë nga Aleanca.
Qeveria, theksojnë nga partia që drejtohet nga Ardian Gjini, mburret me sa para ka mbledhur nga qytetarët, “por nuk tregon pse prodhuesi ynë mezi mbijeton dhe pse raftet i kemi plot me mallra të huaja”.
Kosova, sipas tyre, “nuk mund të zhvillohet duke blerë gjithçka nga të tjerët e duke e lënë prodhimin e vet pas dore”.
Prandaj, nga kjo parti kanë theksuar se do të vazhdojnë të flasin për politika që mbështesin prodhimin vendas “me energji të prodhuar këtu, me gaz amerikan dhe kapacitete të reja, me heqjen e tatimit në pronë për fermerët dhe lehtësimin e barrës së TVSH-së për bizneset e vogla”.
“Paratë e qytetarëve duhet të kthehen në punë e mirëqenie për familjet tona”.









