Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se janë rinumëruar rreth 49 për qind e vendvotimeve deri më tani.
“Nga fillimi i këtij procesi më 13 janar dhe deri më tani janë rinumëruar rreth 49 për qind apo 1 mijë e 240 vendvotime nga 2 mijë e 557 vendvotime. Pra, procesi është përmbyllur plotësisht në 19 komuna dhe kanë mbetur që të rinumërohen rreth 1,300 vendvotime të tjera, që i takojnë 19 komunave tjera”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Ai deklaroi se KQZ-ja është u përpjekur maksimalisht që të përmbyllë në një kohë sa më shpejt procesin e rinumërimit në mënyrë që të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Më 19 janar, KQZ vendosi që të rinumërohen të gjitha votat e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, pasi që në rinumërimin e pjesshëm u konstatuan manipulime të votave të kandidatëve për deputetë.
Përveç rinumërimit të plotë, në mbledhjen e së hënës, KQZ-ja vendosi edhe që t’iu ndërpritet mandati i përfaqësuesve të partive politike në Komisionin Komunal Zgjedhor në Prizren, pasi në këtë komunë pati manipulime të mëdha të votave të kandidatëve për deputetë.
Vendimi u mor pas propozimit të Këshillit për Operacione Zgjedhore. Mbështetje i dhanë të gjithë përfaqësuesit e subjekteve politike në KQZ.









