Procesi i rinumërimit të votave është duke vazhduar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Siç njofton Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri më tani janë rinumëruar mbi 67 për qind e vendvotimeve apo 1 mijë e 729.

“Nga fillimi i këtij procesi deri më tani janë rinumëruar rreth 67% apo 1,729 nga 2,557 vendvotime”, ka thënë Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Deri më tani, siç potencohet, rinumërimi është përmbyllur në 24 komuna.

Më 19 janar, KQZ vendosi që të rinumërohen të gjitha votat e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, pasi që në rinumërimin e pjesshëm u konstatuan manipulime të votave të kandidatëve për deputetë.

Përveç rinumërimit të plotë, KQZ-ja vendosi edhe që t’iu ndërpritet mandati i përfaqësuesve të partive politike në Komisionin Komunal Zgjedhor në Prizren, pasi në këtë komunë pati manipulime të mëdha të votave të kandidatëve për deputetë.

Vendimi u mor pas propozimit të Këshillit për Operacione Zgjedhore. Mbështetje i dhanë të gjithë përfaqësuesit e subjekteve politike në KQZ.