Fitorja e thellë e Vetëvendosjes, rrjedhimisht numri i madh i deputetëve në Kuvendin e Kosovës, i mundëson kësaj partie një pozicion të lehtësuar për krijimin e institucioneve të reja. Por, cila është rruga drejt legjislaturës së re, kryekuvendarit të ri e qeverisë së re?
Shpallja zyrtare e rezultatit të zgjedhjeve
Shpallja zyrtare e rezultatit të zgjedhjeve, sipas nenit 106 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndodh nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, atëherë kur të kenë përfunduar të gjitha procedurat në vendvotime dhe në qendra të numërimit si dhe kur Gjykata Supreme të vendosë për çdo ankesë në lidhje me votimin dhe numërimin drejt PZAP-së e për çdo vendim të kësaj të fundit që mund të jetë kundërshtuar.
Para se të bëhet certifikimi i rezultateve, Komisioni i zgjedhjeve mund të vendosë për rinumërimin e votave në cilindo vendvotim ose edhe për përsëritjen e votimit në ndonjë qendër votimi a komunë.
Me të certifikuar, rezultati i zgjedhjeve nga KQZ është përfundimtar dhe detyrues si dhe i njëjti bëhet publik nga Sekretariati i KQZ-së. Kështu, hapet rruga për fillimin e procedurës së radhës, Konstitutimit të Kuvendit.
Konstituimi i Kuvendit
Tridhjetë ditë pasi të jetë shpallur rezultati zyrtar nga KQZ, Presidentja e vendit duhet të thërrasë seancën e parë të Kuvendit. Në rast se kjo nuk ndodh, Kuvendi mblidhet vetë në ditën e tridhjetë. Krejt kjo sipas pikave 1 dhe 2 të nenit 7 të Rregullores së Kuvendit.
Përgatitjet për seancën e parë, në bazë të nenit 8 të së njëjtës rregullore, bëhen nga kryetari i legjislaturës së mëparshme, në këtë rast nga Dimal Basha, jo më vonë se pesë ditë para datës së seancës fillestare.
Gjatë seancës së parë, e cila kryesohet nga deputeti më i vjetër në moshë me ndihmën e më të riut, nuk ka debat.
Rendi i ditës në këtë seancë kufizohet në: formimin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve, komision që harton një raport mbi vlefshmërinë e mandateve e i cili më pas votohet nga Kuvendi; betimin e deputetëve; zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhjen e Nënkryetarëve të Kuvendit.
Pasi të ketë përfunduar votimi i raportit dhe betimi i deputetëve, në bazë të nenit 11 të Rregullores së Kuvendit, Kryesuesi i seancës e fton subjektin më të madh politik në Kuvend, në këtë rast Vetëvendosjen, të propozojë kandidatin për Kryetar të Kuvendit.
Kryesuesi konstaton rezultatin e votimit. Në rast se nuk është arrirë shumicë e thjeshtë, Vetëvendosje duhet të propozojë përsëri kandidat. Në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rastet KO193/25 dhe KO196/25, një kandidat nuk mund të propozohet më shumë se tri herë dhe Seanca Konstituive duhet të përmbyllet brenda tridhjetë ditësh. Seanca Konstituive mund të ndërpritet për jo më gjatë se 48 orë.
Pas zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit, Kryesuesi e thërret të ia zë vendin. Kështu, fillon procedura për votimin e Nënkryetarëve të Kuvendit, e cila përcaktohet me nenin 12 të Rregullores së Kuvendit.
Kryetari i Kuvendit kërkon nga tri subjektet më të mëdha parlamentare të propozojnë nga një kandidat për nënkryetar të Kuvendit, me kushtin që kandidati i partisë më të madhe të ketë gjini tjetër nga kryetari i Kuvendit. Nënkryetarët e Kuvendit votohen me shumicë të thjeshtë, pra nga 61 deputetë.
Në rast se votimi për nënkryetarët e propozuar nga deputetë që mbajnë ulëse të rezervuara në Kuvend nuk bëhet në paketë me ata të partive kryesore shqiptare, Kryetari i Kuvendit fton përfaqësuesit e komunitetit serb të propozojnë një deputet për nënkryetar. Njëjtë bëjnë edhe përfaqësuesit e komuniteteve tjera, të cilët së bashku propozojnë një kandidat.
Propozimet bëhen nga shumica serbe dhe nga shumica e komuniteteve tjera pakicë. Në rast se nuk ka të propozuar, propozimi bëhet me short, i cili me praninë e deputetëve të komuniteteve, administrohet nga Kryetari i Kuvendit.
Një kandidat mund të propozohet maksimalisht tri herë. Në rast se nuk merr votat e nevojshme në të tri herët, deputeti nuk është i pranueshëm për kandidat.
Formimi i Qeverisë
Procesi i formimit të Qeverisë përcaktohet nga neni 95 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Pasi të jetë konstituar Kuvendi, Presidentja e vendit, në konsultim me partinë ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme prej 61 deputetësh në Kuvend, e që në këtë rast duket të jetë Vetëvendosja, i propozon Kuvendit mandatarin për krijimin e Qeverisë.
Jo më vonë se 15 ditë nga marrja e këtij mandati, kandidati për Kryeministër duhet t’i propozojë Kuvendit përbërjen e re qeveritare, duke i kërkuar miratimin prej 61 votash. Qeveria konsiderohet e votuar nëse merr shumicën e thjeshtë të të gjithë deputetëve.
Nëse nuk arrin ta bëjë këtë, Presidentja duhet që brenda dhjetë ditësh, sipas të njëjtës procedurë, të emërojë një kandidat tjetër për formimin e Qeverisë. Në rast se votimi për Qeverinë dështon edhe herën e dytë, Presidentja e Kosovës duhet të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme, që mbahen jo më vonë se 40 ditë nga shpallja e tyre.
Pas emërimit, anëtarët e Qeverisë duhet të japin betimin para Kuvendit. Ky betim rregullohet nga Ligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe lexon si vijon:
“Betohem se do ta kryej me përkushtim dhe nder detyrën e anëtarit të Qeverisë, do të respektoj Kushtetutën, ligjet dhe rendin juridik dhe do të angazhohem për përparimin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës”.
Zgjedhjet e reja
Nëse Kuvendi plotëson mandatin e paraparë prej katër vitesh, procesi i përcaktimit të zgjedhjeve të reja bëhet sipas pikave 1, 2 dhe 3 të nenit 5 në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, zgjedhjet në Kosovë mbahen të dielën çdo katër vjet.
Zgjedhjet nuk mund të mbahen më shumë se gjashtëdhjetë ditë para ose më shumë se tridhjetë ditë pas.
Vendimi për datën e zgjedhjes merret nga Presidenti, jo më herët se gjashtë muaj nga data e zgjedhjeve dhe jo më vonë se katër muaj para tyre.
Por, në rast se Kuvendi shpërbëhet, përcaktimi i zgjedhjeve të reja bëhet sipas pikës pesë të nenit 5 të të njëjtit ligj, i cili thotë se Presidentja duhet t’i shpallë zgjedhjet jo më vonë se dhjetë ditë pas shpërndarjes. Zgjedhjet e parakohshme s’mund të mbahen më herët se tridhjetë ditë e as më vonë se katër dhjetë ditë pas shpërndarjes.









