Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në orët e para të mëngjesit është shpërndarë i plotë materiali zgjedhor, përfshirë fletëvotimet, në të gjitha qendrat e votimit. KQZ bëri me dije edhe se procesi i votimit ka nisur në kohë në të gjitha qendrat e votimit.

“Duke u mbështetur në informacionet e pranuar nga KQZ, procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës ka nisur në të gjitha qendrat e votimit në Kosovë”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në konferencën e parë për media në ditën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Ai deklaroi se procesi i votimit sot do të zhvillohet në 948 qendra të votimit, me gjithsej 2 mijë e 614 vendvotime.

KQZ ka ftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe të marrin pjesë në procesin zgjedhor.