“Është për keqardhje që dy gra kanë pranuar të huazojnë emrin e tyre në një maskaradë të rrezikshme dhe antikushtetuese”.

Kështu ka deklaruar nënkryetarja e Kuvendit, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, rreth seancës së të hënës, ku Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha u kandiduan nga Vetëvendosje për presidente, në një seancë që nuk kishte 80 deputetë në sallë – siç kërkon Kushtetuta – por që, megjithatë, u zhvillua raundi i parë i votimit.

“Vetë ideja që, me vetëdije, i hyjnë një procesi për të zgjedhur personin që do të udhëheqë institucionin më të lartë në vend, duke shkelur me të dyja këmbët Kushtetutën, flet shumë për mentalitetin e Albin Kurtit”, ka shkruar ajo.

Çitaku ka shkruar se opozita nuk do të lejojë përmbysjen e asaj çka është ndërtuar deri tash.

“Po, ky popull ka sakrifikuar shumë për të pasur liri, pavarësi dhe institucione. Dhe nuk do të lejojmë përmbysjen dhe rrënimin e gjithçkaje që është ndërtuar me aq shumë mund”, deklaron Çitaku.

“Zullumi këputet prej së trashi, thotë populli”.