Për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit janë konfirmuar pesë (5) emra të prokurorëve që synojnë ta marrin këtë pozitë, raporton Betimi për Drejtësi. Afati për këtë konkurs u mbyll më 10 qershor.
Për këtë pozitë është konfirmuar Atdhe Dema, Prokuror në Departamentin për Hetimin e Terrorizmit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Naim Abazi, Prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Rafet Halimi, Prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Shqipdon Fazliu, Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Zejnullah Gashi, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Lista e plotë me të gjithë emrat që kanë kandiduar për këtë pozitë, siç raporton Betimi për Drejtësi, pritet të bëhet publike ditëve në vazhdim, pasi të bëhet edhe verifikimi i aplikimeve të kandidatëve, për çështjen e plotësimit të kritereve.
I propozuar për Kryeprokuror të Shtetit në vitin 2022, nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, kishte qenë Blerim Isufaj, Kryprokuror i Prokurorisë Speciale. Por, pushteti i Vetëvendosjes kishte refuzuar emrin e tij, madje Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vazhdimisht e ka sulmuar.
Kështu, Kosova tash e sa vjet është me Ushtrues të Detyrës së Kryeprokurorit.
Pasi që e refuzuan kategorikisht Isufajn, së fundmi, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, kërkoi proces të ri për Kryeprokurorin e Shtetit.
Pas kësaj kërkese, KPK-ja shpalli konkurs të ri më 18 maj 2026. Por, Isufaj e paditi KPK-në duke kërkuar që të anulohet vendimi i tyre. Gjykata e kishte refuzuar kërkesën e tij, ndërsa aktualisht lënda është në Gjykatën e Apelit.









