“Ç’është e vërteta edhe procesi është kompromentuar tani”, ka thënë Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për çështjen e Presidentit, pasi që Vetëvendosja e propozoi Glauk Konjufcën si kandidat për të parin e shtetit. Abdixhiku tha se nuk ka arsye për t’u takuar më me Kryeministrin Albin Kurti për Presidentin.

“…unë mbrëmë kuptova nga deklarimet e zyrës së Presidentes, sepse derisa na kemi qenë në biseda, ata kanë shkuar kanë kërkuar fajësime për opozitën, pra në një anë je në tavolinë me dikënd, në anën tjetër bën skenar të fajësimeve. Kjo është komprometim i rëndë i procesit, prandaj s’shoh as arsye që të kem edhe takime tjera për këtë çështje”, deklaroi Abdixhiku për gazetarë.

Ai theksoi se kanë provuar që të japin kontributin e tyre, “të jemi sa më konstruktiv, sa më të hapur për konsensus, por kur vendos kandidat partiak, s’ka më konsensus, ka garë”.

“Gjithmonë ju kam thënë prej fillimit garë s’duhet të ketë, duhet të ketë konsensus. Presidenti është i të gjithëve, është figurë uniteti, nuk është figurë partiake”, deklaroi.

I pyetur se a shkohet në zgjedhje automatikisht nëse sot dështon zgjedhja e Presidentit duke qenë se është dita e fundit e afatit kushtetues, Abdixhiku tha po.  

“Pas mesnatës Kosova futet në ciklin e domosdoshëm të zgjedhjeve të reja”, pohoi ai, derisa shtoi se mos zgjedhja e Presidentit “është dështim i madh institucional, i paprecedentë, i pakuptueshëm dorën në zemër”.