Në mbledhjen e parë, një ditë pas zgjedhjes, Qeveria e Kosovës ka miratuar buxhetin e vitit 2026 me vlerë rreth 4 miliardë euro dhe marrëveshjet ndërkombëtare.
Aty u miratua Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje.
U miratua edhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e Parë për Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrushmërinë dhe Rritjen e Gjelbër ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Bankës Botërore) dhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor ndërmjet Kosovës dhe BE-së.
Edhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin KOMPAS – Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës për Forcimin e Sistemit të Shëndetësisë u miratua.
Po ashtu, u miratua edhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin Edukimi në Fëmijërinë e Hershme dhe Kujdesi për Kapitalin Njerëzor të Kosovës.
Tani buxheti dhe marrëveshjet ndërkombëtare janë proceduar në Kuvend ku duhet të miratohen nga deputetët.









