Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka mbrojtur sulmet ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të bëra nga Lëvizja Vetëvendosje, duke thënë se ata nuk janë “shenjtëri”, derisa ka pretenduar se disa prej vendimeve të tyre kanë qenë absurde.
“Sa i përket sulmeve në përgjithësi… ta themi një gjë të qartë. Kushtetuta nuk e ndalon, as praktika demokratike në botë, që ne të komentojmë vendimet e gjykatës, se i dëgjoj nganjëherë disa thonë se ndalohet komentimi, gënjeshtër. Nuk ndalohet askund”, tha Osmani në një konferencë për media pasi që u pyet në lidhje me reagimin e ambasadës gjermane e cila dënoi sulmet ndaj Kushtetueses.
Kosova, theksoi ajo, është shtet ku garantohet liria e shprehjes. “Kjo nënkupton edhe lirinë për të mos u pajtuar me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, përderisa e realizojmë në plotni detyrimin për t’i zbatuar ato aktgjykime”.
“Pra, pyetje sot do duhet të ishte a i zbatojmë ato aktgjykime? Dhe ju e dini përgjigjen. Të gjithë i zbatojmë. Pavarësisht a pajtohemi me to, sa na pëlqejnë, sa na duken ndonjëherë absurde, sa nuk kanë asnjë bazë në tekstin e Kushtetutës, sa nuk kanë asnjë bazë në praktikat të Kushtetutave demokratike të tjera, sa janë shpikje absurde, por i respektojmë dhe i zbatojmë në plotni”, shtoi.
Ajo kërkojë që të mos pretendohet se Gjykata Kushtetuese dhe gjyqtarët e tjerë “janë ndonjë shenjtëri”.
“Jo, janë institucion publik dhe mund të flasim edhe për punën e tyre, siç flisni ju çdo ditë edhe për punën time edhe për punën e të tjerëve. Institucionet publike, pra që të gjithë edhe Gjykata Kushtetuese nuk janë mbi Kushtetutën. Pra, s’po flasim për shenjtëri. Është brenda normave të debatit demokratik në çdo vend të botës”, deklaroi ajo ndër të tjera.