Të dy kandidatët për Kryetar të Prizrenit – Shaqir Totaj i PDK-së dhe Artan Abrashi i VV-së – kanë nënshkruar marrëveshje për koalicion për balotazhin e 9 nëntorit të dielën.

Totaj ka njoftuar se ka nënshkruar marrëveshje me LDK-në. Marrëveshja është nënshkruar mes tij dhe kandidatit të LDK-së për Kryetar të Prizrenit në zgjedhjet e 12 tetorit, Driton Selmanaj.

“Sot jam i lumtur ta ndaj lajmin e arritjes së koalicionit për bashkëqeverisje me LDK-në, i bindur se idetë e reja dhe përvoja e kësaj force politike do t’i shërbejnë Prizrenit edhe më shumë. E falënderoj udhëheqjen e kësaj partie dhe kryetarin e degës në Prizren, Driton Selmanaj për besimin dhe mbështetjen në balotazh duke dëshmuar se para Prizrenit dhe qytetarëve të tij, interesat partiake mbesin në rendin të dytë”, shkroi Totaj në Facebook.

Shaqir Totaj dhe Driton Selmanaj

Ndërsa, Abrashi ka njoftuar se ka bërë marrëveshje me Zafir Berishën, Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Prizrenin.

“Bashkë, me ikonën Zafir Berisha me zemër e vullnet për Prizrenin që na bashkon!”, shkroi Abrashi në Facebook.

Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, në Prizren i pari doli Shaqir Totaj i PDK-së me 41.45 për qind të votave, i ndjekur nga Artan Abrashi i VV-së me 30.39 për qind të votave. Driton Selmanaj i LDK-së doli i treti me 10.49 për qind, ndërsa Zafir Berisha i katërti me 4.90 për qind.