Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka mbërritur në Stacionin e Policisë në Skenderaj për t’u intervistuar nga organet e rendit në lidhje me incidentin që e pati të enjten me zëvendësministrin e Ekonomisë, Hysni Mehani.
Lushtaku është përcjellur me brohoritje mbështetëse nga qindra qytetarë që janë mbledhur para stacionit policor.
Pas hyrjes në stacion, Lushtaku, përmes një postimi në Facebook, tha se për dallim nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ai i respekton institucioneve të shtetit.
“Unë i përgjigjem Republikës, kombit dhe Zotit. Si gjithmonë, edhe sot i përgjigjem drejtësisë. I respektoj institucionet për të cilat unë dhe bashkëluftëtarët e mi kemi luftuar dhe kemi dhënë gjithçka”, shkroi Lushtaku.
“Për dallim nga Albin Kurti, i cili nuk respekton as Policinë e as Prokurorinë, që Kushtetutën e shkel sa herë i konvenon politikisht, unë i respektoj dhe ju përgjigjem gjithmonë institucioneve të Republikës”, shtoi.
Ai bëri thirrje për qetësi dhe maturi, ndërsa pohoi se shpreson që Prokuroria “të mos instrumentalizohet, por ta kryejë punën e vet në mënyrë të pavarur, pa ndikime dhe pa presion”.








