Kandidati për Kryetar të Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku ka ftuar qytetarët që të votojnë për demokraci dhe qeverisje të mirë.
“I ftoj të gjithë natyrisht që sa më masivisht sot ta ushtrojnë të drejtën e tyre për votë për demokraci dhe për qeverisje të mirë”, ka thënë Çeku pasi që votoi në qendrën e tij në Prishtinë.
Sido që të jetë rezultati ai ka uruar që gjithçka e mirë t’i pres qytetarët e Prishtinës në mandatin e ardhshëm të qeverisjes.
“Uroj që edhe nga nesër e tutje të jenë katër vitet të mbara të mira për gjithë qytetarët e kryeqytetit”.
Ndryshe, sot është duke u zhvilluar raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë. Në raundin e parë, me 12 tetor, 20 komuna zgjodhën kryetarin e tyre, ndërsa 18 të tjerat do të vendosin sot (e diel, 9 nëntor).
Të drejtë vote në këto 18 komuna kanë 1 milion e 316 mijë e 672 qytetarë. Numri i votuesve është i shpërndarë në 507 qendra votimi, me gjithsej 1 mijë e 628 vendvotime.
Komunat që zhvillojnë balotazh janë: Prishtina, Prizreni, Peja, Juniku, Dragashi, Gjakova, Kaçaniku, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Rahoveci, Suhareka, Gjilani, Vitia, Vushtrria, Obiliqi, Klina, Mamusha dhe Kllokoti.
Qendrat e votimit do të mbyllen në ora 19:00.








