Më e gjatë se rruga Prishtinë-Mitrovicë po del të jetë historia e ndërtimit të saj.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me Ministrin e Infrastrukturës, Dimal Basha preu shiritin mbi rrugën nacionale N2, Prishtinë – Mitrovicë, kësaj here për segmentin nga fshati Lum i Madh deri në atë Gojbulë.
Nga aty, Kurti e tregoi shifrën e majme që është shpenzuar për ndërtimin e kësaj rruge nacionale, punimet në të cilën s’kanë përfunduar plotësisht.
“Ky investim prej 25 milionë euro me gjatësi prej 9.6km është realizuar në bashkëpinim të institucioneve tona me fondin saudit për zhvillim si dhe fondin e OPEK-ut për zhvillim ndërkombëtar” tha ndër të tjera Kurti.
Por, kjo nuk është hera e e parë që është prerë shiriti nga Kurti me Ministrin e Infrastrukturës në këtë rrugë.
Veç se, më 20 dhjetor, 2024 vartësin e kishte tjetër, Liburn Aliun.
Atë kohë, shiriti u pre për përurimin e rrugës Stanovc-Hyrje e Vushtrrisë dhe festa u bë për 5 kilometra të shtruara.
Gjatë mandatit të tij pesëvjeçar, Kurti nuk ka arritur ta përfundojë asnjë projekt madhor.
As autostradën për Gjilan, rrugën Prishtinë–Podujevë, atë për Mitrovicë dhe magjistralen për Pejë.








