Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, të dielën mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale — një garë e hapur mes dy kandidatëve që në raundin e parë të zgjedhjeve lokale më 12 tetor diferencën e patën pak më shumë se 500 vota.
Në balotazh përballet Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës, që doli i pari raundin e parë me 33.71 për qind (35,595 vota), dhe Hajrulla Çeku i Lëvizjes Vetëvendosje, që e ndoqi shumë afër me 33.21 për qind (35,077 vota).
I treti u rendit Uran Ismaili i Partisë Demokratike të Kosovës, i cili grumbulloi 27.65 për qind (29,203 vota), duke shënuar rezultatin më të mirë të PDK-së në kryeqytet, por i pamjaftueshëm për të hyrë në balotazh.
Bekë Berisha i AAK-së doli i katërti me 3.12 për qind (3,298 vota) – i cili tani në balotazh e ka deklaruar publikisht mbështetjen për Ramën. Ndërsa e pesta Besa Shahini e PSD-së 1.56 për qind (1,652 vota), kurse kandidatët e tjerë patën rezultate të papërfillshëm.
Kështu, Prishtina hyn në balotazh me një garë që shihet si ndër më të ngushtat në vitet e fundit – një përballje mes kryetarit aktual të LDK-së, që kërkon të mbajë drejtimin e komunës, dhe Çekut që kërkon ta rikthejë kryeqytetin nën drejtimin e VV-së pas katër vitesh.
Në debatet televizive që kanë pasur pasur Rama dhe Çeku kanë bërë akuza e kundër akuza ndaj njëri tjetrit. Rama e ka akuzuar sfidantin e tij për bllokim të punëve nga niveli qendror, pjesë e të cilit ka qenë Çeku, ndërsa ky i fundit e ka akuzuar Ramën për mospunë, derisa retorikën e tij për bllokadë e ka konsideruar si alibi për t’u arsyetuar për mungesën e rezultateve gjatë qeverisjes katër vjeçare.
Historiku i zgjedhjeve në Prishtinë nga 2007
Në zgjedhjet lokale të vitit 2007, gara për Prishtinën shënoi një përplasje klasike ndërmjet LDK-së dhe PDK-së. Në raundin e parë, LDK fitoi 22 mijë e 954 vota, që përbënin 36.05 për qind të totalit, ndërsa PDK mori 15 mijë e 798 vota (24.81 për qind) dhe AKR 12 mijë e 316 vota (19.34 për qind). Raundi i dytë u zhvillua më 8 dhjetor 2007 dhe përballi Isa Mustafën nga LDK dhe Fatmir Limajn nga PDK. Mustafa fitoi me 30 mijë e 198 vota (58.23 për qind), ndërsa Limaj mori 21 mijë e 664 vota (41.77 për qind). Ky rezultat konfirmoi dominimin e LDK-së në kryeqytet, por tregoi edhe rritjen e ndjeshme të PDK-së.
Viti 2009: Konsolidimi i LDK-së me Isa Mustafën
Në zgjedhjet e vitit 2009, LDK e forcoi edhe më tej pozicionin e saj. Isa Mustafa fitoi bindshëm në raundin e parë me 39 mijë e 306 vota (57.22 për qind), duke mos lënë nevojë për raund të dytë. Pas tij u renditën Vetim Gashi nga AKR me 15 mijë e 315 vota (22.29 për qind) dhe Astrit Salihu nga PDK me 8 mijë e 427 vota (12.27 për qind). Kjo ishte një periudhë kur LDK konsiderohej si sinonim i qeverisjes lokale në Prishtinë, dhe Isa Mustafa e ktheu komunën në bazë të fortë politike të partisë, që do t’i shërbente më vonë si trampolinë për postin e kryetarit të LDK-së dhe atë të Kryeministrit.
Zgjedhjet e vitit 2013: Fillimi i epokës së Vetëvendosjes
Zgjedhjet e vitit 2013 shënuan kthesën më të madhe në politikën lokale të kryeqytetit. Në raundin e parë, Isa Mustafa nga LDK kryesoi me 36 mijë e 755 vota (42.75 për qind), por Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje arriti 27 mijë e 415 vota (31.89 për qind), duke e dërguar garën në raundin e dytë. Aty, më 1 dhjetor 2013, Shpend Ahmeti përmbysi rezultatin duke fituar 37 mijë e 604 vota (51.80 për qind), përballë 34 mijë e 994 votave të Mustafës (48.20 për qind). Kjo fitore u pa si një ngjarje historike — për herë të parë pas luftës, LDK humbi Prishtinën, ndërsa Vetëvendosje e shndërroi kryeqytetin në bastion të saj politik.
Zgjedhjet e vitit 2017: Një balotazh i ngushtë
Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, Shpend Ahmeti kërkoi një mandat të dytë, si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje. Në raundin e parë ai mori 38 mijë e 294 vota (43.61 për qind), përballë Arban Abrashit nga LDK me 31 mijë e 428 vota (35.79 për qind) dhe Selim Pacollit nga AKR me 8 mijë e 965 vota (10.21 për qind). Raundi i dytë u mbajt më 19 nëntor, ku Ahmeti fitoi për një diferencë minimale — 42 mijë e 262 vota (50.22 për qind) ndaj 41 mijë e 897 të Abrashit (49.78 për qind). Ky rezultat ishte ndër më të ngushtët në historinë elektorale të Prishtinës dhe konfirmoi se vota e qytetarëve ishte thellësisht e ndarë midis dy kampeve.
Zgjedhjet e vitit 2021: Kthimi i LDK-së në kryeqytet
Pas tetë vitesh nën drejtimin e Shpend Ahmetit, LDK arriti të rikthejë Prishtinën në zgjedhjet e vitit 2021. Në raundin e parë, Arben Vitia nga Vetëvendosje mori 36 mijë e 818 vota (42.54 për qind), ndërsa Përparim Rama nga LDK 25 mijë e 252 vota (29.17 për qind), e Uran Ismaili nga PDK 18 mijë e 771 vota (21.69 për qind). Raundi i dytë u zhvillua më 14 nëntor, ku Përparim Rama arriti të përmbysë rezultatin fillestar dhe të fitojë me 41 mijë e 746 vota (50.98 për qind), përballë 40 mijë e 143 votave (49.02 për qind) të Arben Vitisë. Me këtë fitore, LDK riktheu kontrollin e kryeqytetit pas gati një dekade.
Balotazhi i 9 nëntorit
Rezultatet e raundit të parë dëshmojnë se në kryeqyteti ka garë të fortë. Vetëvendosja synon ta rikthejë Prishtinën që e humbi në vitin 2021, ndërsa LDK-ja kërkon rikonfirmimin për të treguar se është forca politike me përkrahjen më të madhe në kryeqytet.









