“Në emër të qytetarëve të Prishtinës: SHPALLENI TË PAFAJSHËM”.
Kështu shkruhet në një baner gjigant të vendosur në qendër të Prishtinës, pak ditë para shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po akuzohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte.
Përmes një postimi në Facebook, nënkryetarja e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka thënë se Prishtina po pret kthimin e krerëve të UÇK-së në shtëpi.
“Për ata që luftuan për lirinë tonë. Për drejtësinë që po e presim. Për kthimin e tyre në shtëpi. Prishtina kujton. Kosova po pret”, shkroi Musmurati.
Gjatë vendosjes së banerit ka qenë prezent edhe Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, si dhe përfaqësuesit e platformës “Liria Ka Emër – Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli.
Më 16 shtator, Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale do të shpallë aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Të katërt këta janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat që i ngarkon Prokuroria e Speciales.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020.
Në prag të shpalljes së aktgjykimit ndaj tyre, “Liria ka Emër” është duke organizuar cdo ditë aktivitete në mbështetje të tyre.
Filluan me vendosjen e “Orës së Pritjes” në Prishtinë dhe vazhduan edhe në qytete të tjera.
Aktivitetet do të kulmojnë më 12 shtator, kur do të mbahet protesta gjithëkombëtare në mbështetje të krerëve të UÇK-së në Prishtinë, nën sloganin “Kosova po pret”.









