05, 12 e 19 prill janë datat e mundshme të mbajtjes së Zgjedhjeve të Parakohshme në Kosovë që u diskutuan në takimin mes Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe krerëve të partive politike. Kështu tha kryetari në largim i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Janë opsion datat, prej 05, e besoj 12 e 19 prill. Mund të ketë edhe ndonjë datë tjetër varësisht prej zhvillimeve. Ne nuk kemi një datë të preferuar për shkak se e kuptojmë që tash, jemi në autopilot. Nuk ka më askush kompetenca përpos Kushtetutës, normave kushtetuese dhe afateve kushtetuese dhe ne e respektojmë cilëndo datë nga këto data”, tha Haradinaj.

Në takimin e thirrur nga Kryetarja e shtetit mungoi Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti.

Sot (e premte, 06 mars), Presidentja Osmani ka nxjerrur dekret për shpërndarjen e Kuvendit pasi që mbrëmë (e enjte, 05 mars) dështoi zgjedhja e Presidentit në Kuvend. Kuorum për votim s’pati as për amandamentet kushtetuese që do të mundësonin zgjedhjen e Presidentit nga vota popullore.