Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka komentuar audio-incizimet e publikuara nga Vox Kosova, në të cilat dëgjohen biseda të kryetarit të Obiliqit Halil Thaçi, për punësime partiake të drejtuara nga kryeministri Albin Kurti.
Në emisionin “Politiko”, Rrustemi ka thënë se nuk e ka parë incizimin, por është i bindur në atë që e ka quajtur bosht vleror të Vetëvendosjes.
“Unë nuk e kam parë incizimin sinqerisht, por në kuptimin vleror të fjalës, unë jam i bindur që qeverisja e Vetëvendosjes nuk mund të krahasohet asnjëherë. Vetëvendosje nuk e mban pushtetin me një qasje të tillë klienteliste, që e deformon qeverisjen, edhe politikëbërjen, edhe drejtimin e vendit”, ka thënë ai.
Rrustemi ka pranuar se mund të ketë individë brenda partisë që devijojnë nga këto parime, por ka thënë se raste të tilla janë përjashtime.
“A mund të ketë individë brenda nesh që e devijojnë? Po, mund të ndodhë, por janë përjashtime”, është shprehur ai.
Duke folur për dallimin mes Vetëvendosjes dhe qeverive të mëparshme, Rrustemi ka pretenduar se klientelizmi, keqqeverisja, korrupsioni dhe abuzimet kanë qenë rregull në qeverisjet paraprake.









