Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka kërkuar nga Prokuroria që të hetojë procesin zgjedhor në Junik, pasi që ka pretenduar se në këtë komunë votuan edhe qytetarë të komunave tjera.
“Juniku, si një zonë zgjedhore, ka shumë qytetarë nga qytetet tjera të cilët në mënyrë shumë të organizuar janë regjistruar si votues të Junikut. Kjo përbën vepër penale dhe si e tillë duhet urgjentisht të hetohet”, shkroi Haradinaj në Facebook.
Ai tha se KQZ duhet ta publikojë listën zgjedhore të kësaj komune, pasi vlerëson se “kjo është shumë e qartë si skemë e dominimit numerik kriminal”.
Sipas rezultateve të publikuara në KQZ, me 100 për qind të votave të numëruara, kandidati i LDK-së për Kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu, i ka marrë 47.91 për qind të votave, apo 1 mijë e 193 vota, ndërsa Agron Kuçi i AAK-së 40.68 për qind, apo 1 mijë e 13 vota.
I treti është renditur Jetmir Tofaj i VV-së me 11.29 për qind, apo 281 vota.
Në bazë të këtyre rezultateve në Junik do të ketë balotazh mes LDK-së dhe AAK-së.









