Bashkimi Evropian e ka mirëpritur vendimin e Presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, për kthimin e Ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvend për rishqyrtim.

Nga BE kanë thënë se presin që konsultohen nëse diskutimet për Ligjin rinisin në Kuvend.

“BE-ja vazhdimisht ka shprehur shqetësim të thellë për nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, si para ashtu edhe pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës më 6 tetor”, tha një zëdhënës i BE-së, transmeton Radio Evropa e Lirë.

“Në frymën e letërkëmbimit mes përfaqësueses së lartë të BE-së dhe presidentes së Kosovës, përcakton modalitete të konsultimit me BE-në para ndryshimit të legjislacionit, presim që BE-ja të konsultohet nëse diskutimet rinisin në Kuvend”.

Presidentja e ktheu të enjten ligjin në Kuvend pasi që Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – iniciues dhe hartuese e tij – bëri kërkesë zyrtare ndaj saj.

Ligji për Dhomat e Specializuara ishte iniciuar pasi që Gjykata Speciale dënoi me 81 vjet ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet, Jakup Krasniqi po ashtu me 25, Kadri Veseli me 18, dhe Rexhep Selimi me 13.