Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, është shprehur optimiste se do të arrihet një marrëveshje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, për çështjen e Presidentit, gjatë javës se ardhshme.
“Jam optimiste që do të kemi rezultate pozitive dhe presim që kjo të konfirmohet nga Lëvizja Vetëvendosje, përkatësisht nga kryetari i Vetëvendosjes, Kryeministri Albin Kurti dhe në anën tjetër kryetari i LDK-së, zoti Lumir Abdixhiku”, tha Haxhiu gjatë homazheve te Memoriali i Personave të Zhdukur në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë.
Ajo uron që marrëveshja të përmbyllet sa më parë, konsideron se është shumë e rëndësishme “që të ecim përpara”.
“Uroj që marrëveshja të përmbyllet sa më parë, për shkak se është shumë e rëndësishme që të ecim përpara, duke pasur parasysh përgjegjësinë që kemi, reformat që duhet të vazhdojnë, por edhe obligimet që kemi, sidomos në rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës, në NATO, por edhe në shumë mekanizma të tjerë. Prandaj, le të shpresojmë që kjo javë që po vjen të jetë vendimtare për procesin e ardhshëm”, tha ajo.
Të shtunën, VOX Kosova raportoi se Kurti dhe Abdixhiku janë pajtuar në parim në takimin e parafundit që Bekim Sejdiu, ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, të jetë kandidat i tyre për President.
Sejdiu ka qenë gjyqtari raportues në rastin KO95/20, rastin që çoi në rrëzimin e Qeverisë së Avdullah Hotit.









