Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-Kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ka njoftuar se të dielën është nisur për në Hagë, pasi që më 17 nëntor, Gjykata Speciale do të shpallë vendimin ndaj tij për pengim të drejtësisë.

Kilaj ka thënë se pret drejtësi dhe se gjithmonë e përjetësisht do të jetë me çlirimtarët.

“Sot po nisem për në Hagë! Me 17 nëntor e kemi verdiktin nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Pres drejtësi! Sido që të jetë, gjithmonë-përjetësisht do të jem me Çlirimtarët!”, shkroi ai në Facebook.

Më 17 nëntor, Gjykata Speciale do të shpallë aktgjykimin në rastin “12”, aty ku ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi akuzohet për pengim të drejtësisë.

Bashkë me Thaçin dhe Kilajn, në këtë rast janë akuzuar edhe Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.

Prokuroria e Speciales pretendon se veprat penale për pengim të drejtësisë janë kryer gjatë vizitave në objektin e paraburgimit.

Isni Kilaj u arrestua fillimisht si i dyshuar më 2 nëntor 2023 dhe u lirua përkohësisht me kushte të rrepta më 15 maj 2024. Pas konfirmimit të aktakuzës, më 5 dhe 6 dhjetor 2024, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan dhe u transferuan në Njësinë e Paraburgimit në Hagë.

Hashim Thaçi u njoftua me fletarrestim në objektet e paraburgimit, ndërsa Hajredin Kuçi u la të mbrohet në liri. Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Isni Kilaj u lirua me kusht në Kosovë për herë të dytë më 10 dhjetor 2025, ndërsa Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u liruan me kusht më 10 shkurt 2026.