Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka nisur largimin e shtretërve të dëmtuar nga Klinika e Pediatrisë, një ditë pasi Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) njoftoi për masa pas denoncimit publik të kushteve në këtë klinikë.

Veprimet vijnë pas publikimit të dëshmisë së një nëne, e cila kishte denoncuar kushtet në objektin e vjetër të Pediatrisë, duke publikuar fotografi të shtretërve të dëmtuar dhe gjendjes në repart. Rasti nxiti reagime të shumta në opinion.

Një ditë më parë, ShSKUK kishte bërë të ditur se ka formuar një komision ad-hoc për shqyrtimin e rastit, ndërsa kishte paralajmëruar edhe masa administrative ndaj punonjësve shëndetësorë, duke e arsyetuar reagimin me mosrespektimin e procedurave të brendshme.

Sot, në Klinikën e Pediatrisë ka nisur largimi i shtretërve të dëmtuar, në kuadër të ndërhyrjeve për përmirësimin e kushteve infrastrukturore për pacientët dhe stafin.

Lëvizja vjen vetëm pasi rasti u bë publik, ndërsa mbetet të shihet nëse institucionet do të ndërmarrin edhe masa të tjera për përmirësimin e kushteve në këtë klinikë.