Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me ndryshimet që Kuvendi i Kosovës i bëri një ditë më parë në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e Ambasadës gjermane, Catalina Heine, ka thënë se Dhomat e Specializuara janë institucion i pavarur gjyqësor dhe se pavarësia e tyre duhet të respektohet plotësisht.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një institucion gjyqësor i pavarur dhe u themeluan në bazë të ligjit të Kosovës dhe mbështeten në Kushtetutën e Kosovës. Qëllimi i tyre është të sigurojnë llogaridhënie dhe drejtësi për viktimat nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.

Ambasada gjermane ka bërë të ditur gjithashtu se e mbështet qëndrimin e Bashkimit Evropian kundër ndryshimeve në këtë ligj.

BE-ja ka deklaruar se ndryshimet e miratuara nga Kuvendi bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe ka kërkuar respektimin e pavarësisë së Dhomave të Specializuara.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’u përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe zotimit për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së, Christian Wiegand, për REL.