Blerim Sallahu, këshilltar ligjor i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është lëshuar në interpretime lidhur me atë se si duhet të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Dekretin për Shpërndarjen e Kuvendit dhe procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Sipas Sallahut, që dikur ishte zv/ministër i Drejtësisë, Kushtetuesja duhet të nxjerrë një vendim i cili do të shpallte të pavleshëm dekretin e Presidentes Vjosa Osmani, i cili, siç thotë ai “ka goditur brutalisht parimet kushtetuese”.

“Andaj, interesi kushtetues i Gjykatës Kushtetuese përmes nxjerrjes së aktgjykimit përkatës natyrisht se do të mund t’i misherojë, përmbajë dhe mbrojë këto vlera dhe parime kushtetuese të cilat përbëjnë esencën e funksionimit demokratik, shoqëror dhe kushtetues të shtetit tone”, shkroi Sallahu.

Gjykata Kushtetuese i ka vendosur masë të përkohshme deri më 31 mars Dekretit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shpërbërjen e Kuvendit. Brenda kësaj periudhe kohore, sipas kërkesave të partisë në pushtet, Vetëvendosje, Gjykata më e lartë në vend do të vendos për Dekretin si dhe procedurën e zgjedhjes së të parit të shtetit.