Daniel Fried, ish-ndihmës i Sekretarit Amerikan të Shtetit, i ka vlerësuar si pozitive deklaratat e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se presidenti amerikan, Donald Trump, kishte parandaluar së fundmi një sulm të mundshëm të Serbisë ndaj Kosovës.
Në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë”, Fried u shpreh se nuk është i informuar për detajet e kësaj ngjarjeje, por vlerësoi si të “zgjuar” qasjen e Osmanit për t’i atribuuar merita administratës Trump.
“Nuk i di detajet, por është gjithmonë e mirë si taktikë t’ia atribuosh meritat administratës Trump”, tha ai.
Pasi që Presidentja Osmani deklaroi se ka “informacione të besueshme” se Presidenti Trump, së fundmi ka parandaluar një sulm të mundshëm të Serbisë ndaj Kosovës, Emisari Amerikan për Misione të Posaçme, Richard Grenell, reagoi duke e akuzuar Osmanin për “manipulim të fjalëve” të Trump-it.
“Turp për Vjosa Osmanin për manipulimin e fjalëve të Trumpit”, shkroi Grenell në platformën X.
Lidhur me këtë çështje, Presidenca njoftoi se Osmani do të mbajë një konferencë për media në ditët në vijim, sapo të kthehet në Kosovë nga vizitat e saj jashtë vendit.









