Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka vulosur 28 dhjetorin si datë të zgjedhjeve të reja parlamentare, duke e bërë fakt vendimin që kërkoi Vetëvendosja dhe duke anashkaluar kërkesën e tri partive të mëdha opozitare – PDK, LDK dhe AAK – për mbajtjen e zgjedhjeve më 21 dhjetor.
Osmani e arsyetoi vendimin me propozimin e shumicës së subjekteve, duke përmendur se 8 parti e kanë preferuar 28 dhjetorin. Por, pothuajse gjysma e ‘shumicës’ së saj janë parti të vogla që s’kanë peshë politike, zgjatime të Vetëvendosjes – si Partia Guxo dhe Alternativa.
Në anën tjetër, partitë reale të skenës – ato që garojnë seriozisht për qeverisje – kishin propozuar 21 dhjetorin. Arsyet u injoruan. Numrat u relativizuan. Vendimi u mor.
Mandatimi i Konjufcës – loja teknike për të shtyrë afatet
Vendimi për datën e zgjedhjeve nuk është i shkëputur nga lëvizja që Osmani kishte bërë me mandatimin e Glauk Konjufcës si kandidat për kryeministër, pavarësisht se ishte e qartë se ai nuk i kishte 61 votat e nevojshme. As ai nuk pretendoi ndryshe.
Me këtë lëvizje, Osmani i hapi rrugë pikërisht skenarit të VV-së: shtyrjes së automatikshme të afateve deri në momentin kur data 28 dhjetor bëhej e mundur procedurialisht.
Pra, dështimi i Konjufcës në Kuvend nuk ishte surprizë. Por mandatimi i tij ishte mjeti që e çoi vendimin në binarët e dëshiruar nga Vetëvendosja, apo thënë ndryshe nga Albin Kurti.
Dështimi i Konjufcës në Kuvend ishte i ditur nga të gjithë, por nominimi i tij e realizoi qëllimin e vetëm: shtyrjen e zgjedhjeve.
Presidentja që ndjek linjën e Kurtit
Me këto dy vendime – mandatimin e Konjufcës dhe zgjedhjen e datës sipas kërkesës së VV-së – por edhe të tjerët që ka pasur në këtë mandat të saj, Vjosa Osmani është shfaqur hapur si Presidente që zbaton politikat e Albin Kurtit.
Retorika për neutralitet dhe gjithëpërfshirje, që ajo e pretendon, nuk përputhet me veprimet.
Me mandatimin e Konjufcës dhe caktimin e 28 dhjetorit si datë për zgjedhje çdo gjë është e qartë: Presidentja ka ndjekur skenarin e Kurtit, jo balancën kushtetuese.









