Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku kanë arritur marrëveshjen për Presidentin.

Ata janë pajtuar për emrin e Bekim Sejdiut.

Se Abdixhiku dhe Kurti janë pajtuar për emrin e Sejdiut, VOX Kosova raportoi të shtunën.

Sejdiu ka thënë se besimi që i kanë dhënë këto dy parti politike është nder i madh, derisa shtoi se “jam vu në shërbim të Kosovës”.

“Dy partitë kanë arritur një pajtueshmëri për emrin tim si kandidat presidencial gjithsesi kjo mua më bën të ndihem i nderuar. Besimi që më kanë dhënë përfaqësuesit e dy partive politike. Do të kisha dashtë ta shfrytëzoj rastin publikisht, t’i falënderoj, është besim i madh. Është nder i madh”, tha Sejdiu në një konferencë për media ku u prezantua nga Kurti e Abdixhiku.

“Jam vu në shërbim të Republikës së Kosovës, të qytetarëve të Republikës sonë dhe shtetit tonë që të shërbej me devotshmëri siç kam bërë gjithmonë kudo dhe kurdo që më është dhënë rasti”, shtoi ai.

Sejdiu është ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese. Ai ka qenë gjyqtari raportues në rastin KO95/20, rastin që çoi në rrëzimin e Qeverisë së Avdullah Hotit.

Pajtimi për Sejdiun u arrit në takimin që Kurti dhe Abdixhiku patën të mërkurën.