20 vjet më parë, në një ditë të ftohtë janari, vdiq Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova. Rugova vdiq më 21 janar të vitit 2006.

Rugova, kontributi i të cilit në çështjen e Kosovës është i padiskutueshëm, ishte një shkrimtar dhe intelektual nga fshati Cërrcë e Istogut, babai dhe gjyshi i të cilit ishin vrarë nga komunistët jugosllav.

Angazhimin politik, Rugova e filloi me krijimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në dhjetor të vitit 1989. Ai u zgjodh Kryetar i LDK-së. Paraprakisht, Rugova ishte Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

“Rugova, bir i një katundari të vramë prej forcave të Titos, në fund të Luftës së Dytë Botërore, ishte 40 e kusur vjeçar kur e themeloi Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), më 1989”, shkruan në librin e tij “Kosova – prejardhja e një lufte”, historiani amerikan, Stephen Schwartz.

Në një kohë të represionit të ashpër serb, pas suprimimit të autonomisë së Kosovës nga regjimi fashist i Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç, Rugova zgjodhi rrugën e rezistencës institucionale dhe paqësore, duke krijuar struktura paralele shtetërore dhe duke shtyrë përpara idenë e Republikës së Kosovës.

Rugova, së bashku me LDK-në, ishte figura kyçe që organizoi referendumin në shtator të vitit 1991, përmes të cilit Kosova u shpall Republikë.

Më 22 maj të vitit 1992, Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës.

Rugova, një udhëheqës me politikë joviolente, u përpoq që të siguronte mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare përmes politikës paqësore.

Ai arriti suksesshëm që ta ndërkombëtarizojë çështjen e Kosovës në qendrat e diplomacive më të fuqishme perëndimore dhe ta fusë atë në agjendat e tyre.

Brenda vendit, Rugova, përkundër pengesave të jashtëzakonshme të regjimit serb, arriti që të ndërtoi sistemin paralel, i cili u bë bazë e funksionimit politik dhe shoqëror të shqiptarëve të Kosovës.

Më 22 mars 1998, Rugova ishte rizgjedhur President i Kosovës. Këto zgjedhje ishin bojkotuar nga partitë e tjera shqiptare, për shkak të gjendjes së krijuar nga krimet serbe ndaj shqiptarëve.

Po në vitin 1998, Rugova ishte takuar me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, ku ishte rikonfirmuar mbështetja amerikane për Kosovën.

Parlamenti Evropian në vitin 1998, Rugovës ia dha çmimin “Sakharov”. Në faqen e PE-së, Rugova përshkruhet si “Gandi i Ballkanit” dhe theksohet – ndër të tjera – se shumë kush e konsideron si “baba i kombit”.

Rugova ishte edhe pjesë e delegacionit të Kosovës në Ramboulliet të Francës. Aty, ai luajti një rol konstruktiv, çka ndikoi në ruajtjen e unitetit të delegacionit shqiptar të Kosovës.

Marrëveshja e Rambujesë, pasi që u refuzua nga pala serbe, solli si rezultat bombardimet e NATO-s mbi çarqet e policisë dhe ushtrisë serbe për 78 ditë, deri në kapitullimin përfundimtar të Millosheviç-it.

Në zgjedhjet e para pas luftës, në ato të vitit 2022 dhe 2024, në një ambient politik pluralist, Rugova dhe LDK fituan bindshëm zgjedhjet. Si rezultat, ai u rizgjodh edhe për dy herë radhazi President.

Rugova ishte prijës i delegacionit që do ta përfaqësonte Kosovën në Procesin e Vjenës, për zgjidhjen e statusit të Kosovës, por si rezultat i sëmundjes që iu shfaq, ai nuk arriti që ta përfundojë procesin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Se vuan nga sëmundja e kancerit në mushkri, Rugova e kishte mësuar pas një vizite që e kishte pasur në kampin ushtarak amerikan në Gjermani. Pas kthimit, përmes një konferencë për media, ai kishte njoftuar popullin për gjendjen e tij shëndetësore.

Disa muaj më vonë, Rugova vdiq. Në ceremoninë e varrimit të tij pati pjesëmarrje masive të njerëzve. Ai u nderua nga e gjithë politika vendore, si nga opozita si nga pozita, por nderime shprehën edhe personalitete të larta botërore.

20 vjet pas vdekjes, Rugova mbetet një nga personalitetet kyçe që i dha formë projektit politik të shtetit të Kosovës, duke e ndërtuar atë mbi parime të demokracisë, durimit politik dhe orientimit perëndimor.