Lidhja Demokratike e Kosovës së shpejti do të ketë një emër për pozitën e Presidentit.
Kështu ka deklaruar deputeti i LDK-së, Ukë Rugova.
“Besoj që shpejt do të kemi një emër të një presidenti konsensual. Uroj që të jetë gjatë kësaj jave, ashtu siç e tha edhe kongresisti DioGuardi, dhe besoj që si popull kemi mjaft emra të përgatitur për të qenë president”, tha Rugova për gazetarë.
Ai theksoi se në këtë fazë nuk e konsideron veten si emër për President.
“Unë nuk jam, atë e vendos dikush tjetër, por vetë nuk jam në këtë fazë. Ne jemi në shërbim të popullit të Kosovës dhe jemi të gatshëm për të gjitha, por jo në këtë fazë. Besoj që ka emra të tjerë më të mirë e më të përgatitur për t’i shërbyer në këtë fazë Kosovës”, shtoi ai.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, që nga 18 gushti nuk u takuan më, duke e lënë kështu çështjen e Presidentit ende pa ndonjë rezultat.
Pra, përtej deklaratave e paralajmërimeve për takime e emra konkretë, ky proces nuk ka ndonjë zhvillim të ri.
Përderisa ende nuk ka ndonjë zhvillim, Kuvendi po vazhdon të mbetet i pakonstituuar, ndonëse afati kushtetues ka kaluar që nga 7 gushti.
Vetëvendosja i ka votat për konstituimin e Kuvendit, por kanë thënë se duhet marrëveshje për Presidentin.
Nga ana tjetër, opozita, posaçërisht Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca, e kanë akuzuar VV-në për “cenim të rendit kushtetues”.
Pikërisht për shkak të moszgjedhjes së Presidentit, Kosova kishte shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme më 7 qershor.









