Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kanë nisur takimin në lidhje me çështjen e Presidentit.
Abdixhikun e kanë shoqëruar Ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe nënkryetari i LDK-së, Lufti Haziri.
Ndërsa, me Kurtin kanë shkuar në takim, Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati dhe Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci.
Kurti, i pyetur nga gazetarët nëse presin marrëveshje të mërkurën, tha se “unë gjithmonë pres më të mirën, prandaj edhe me vullnet të mirë po shkojmë në mbledhje sot”.
“Po i vazhdojmë diskutimet me vullnet të mirë, ashtu siç jemi marrë vesh, në mënyrë që vendit bashkërisht të ia sjellim emrin për President apo Presidente të re dhe të evitojmë zgjedhjet e reja të panevojshme”, ka thënë ai.
Ai theksoi se ata do të jenë të hapur për procesin, por kërkoi që bisedimet të mbeten konfidenciale.
“Padyshim që do të jemi të hapur karshi juve sa i përket procesit, por deri kur të kemi marrëveshje na duhet ta ruajmë edhe konfidencialitetin e bisedimeve”.
Në këtë takim, siç është paralajmëruar më herët, pritet të diskutohet për emrat konkretë për pozitën e të parit të shtetit.
Të mërkurën gjatë ditës, nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se VV-ja i ka emrat për President, por nuk i bëri publike.
“Lëvizja Vetëvendosje unë vetëm po them se është gati. Kryeministri Kurti është gati. Emrat i kemi, po nuk mund t’i ndaj këtu me juve. Më vjen keq sepse pastaj kjo do ta humbte kuptimin pastaj procesi i negociimit”, tha Konjufca.
Kurti dhe Abdixhiku për çështjen e Presidentit u takuan për herë të fundit më 18 gusht.
Ata thanë se kanë diskutuar për profilin e Presidentit dhe se janë dakorduar që në takimin e ardhshëm të propozojnë emra konkretë.
Ndërkohë, Kuvendi po vazhdon të mbetet i pakonstituuar, ndonëse afati kushtetues ka kaluar që nga 7 gushti.
Vetëvendosja i ka votat për konstituimin e Kuvendit, por kanë thënë se duhet marrëveshje për Presidentin.
Nga ana tjetër, opozita, posaçërisht Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca, e kanë akuzuar VV-në për “cenim të rendit kushtetues”.
Pikërisht për shkak të moszgjedhjes së Presidentit, Kosova kishte shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme më 7 qershor.









