Arbërie Nagavci, Shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se ia kanë ofruar Presidentes aktuale, Vjosa Osmani, 30 nënshkrime për kandidimin e saj edhe për një mandat në krye të shtetit, por, sipas saj, Osmani i ka refuzuar.
“I kemi ofruar edhe Presidentes, zonjës Vjosa Osmani nënshkrimet për kandidaturën e saj, edhe pse nga ajo që e dimë asnjë subjekt tjetër politik deri më tani nuk e ka bërë një gjë të tillë dhe madje kemi pas edhe deklarata të subjekteve politike në këtë rast të PDK-së për mos mbështetjen e zonjës Osmani”, tha Nagavci në një konferencë për media të mërkurën.
“Meqenëse zonja Osmani nuk e ka pranuar këtë ofertë, tani duke marrë parasysh edhe dinamikat aktuale, edhe kohën e shkurtër, deri nesër në orën 24:00 për të zgjedhur Presidentin, por edhe numrat e subjekteve të tjera politike, pra që nuk kanë numrin e mjaftueshëm të deputetëve për të siguruar 30 nënshkrime, për të përmbushur kushtin, pra për nominimin e kandidatit për President. Ne si VV kemi qenë të gatshëm vazhdojmë të jemi t’i ofrojmë nënshkrimet e deputetëve tanë edhe për subjektet tjera parlamentare”, potencoi ndër të tjera ajo.









