Në ditët në vijim do të intensifikohen takimet dhe bisedimet për çështjen e Presidentit, ka thënë Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, duke shtuar se janë të interesuar që të shmangen edhe një palë zgjedhje, të cilat, në vlerësimin e saj, nuk do të sjellin asnjë rezultat të ri.

“Ditët e mbetura natyrisht do të intensifikohen takimet edhe bisedimet, sepse si Lëvizje jemi tejet të interesuar që të shmangim edhe një palë zgjedhje të reja, sepse besojmë që mundësitë janë, gjasat janë reale edhe është e nevojshme, pothuajse e domosdoshme që ne të zgjedhim presidentin, sepse edhe një palë zgjedhje të reja jo vetëm që janë të panevojshme e të padrejta, por nuk do të sjellin asnjë rezultat të ri”, tha Nagavci në një prononcim për Ekonomia Online.

Propozimet e VV-së për President – Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku – ajo theksoi se kanë ardhur për të iniciuar procedurën dhe “pasi nuk kishim asnjë propozim tjetër nga PDK”.

“Ata kërkonin që të bënin propozimet e tyre, gjegjësisht të kishin miratimin e Lëvizjes për mbështetje të kandidatëve të tyre, ndonëse akoma edhe sot ne nuk e dimë për çfarë emrash specifikë bëhet fjalë ose kënd kanë pasur në mendje”, potencoi kryeshefja e deputetëve të VV-së.

:Ndërkohë që nuk ka pasur ndonjë specifikë nga LDK-ja për marrëveshje politike të cilës i janë referuar. Gjithsesi, ne kemi iniciuar procedurën, tashmë kemi dy kandidatë. Seanca ka filluar, por nuk konsiderohet që kemi filluar edhe në fazën e parë, pra në momentin kur të kemi 80 deputetë në sallë të cilët marrin pjesë edhe vendosin votat e tyre në kuti, ne mund të dimë se si po vazhdojmë tutje”, shtoi.

Këto deklarime të Ngavacit vijnë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me dekretin e Presidentes Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit, ku konstatoi se dekreti nuk ka efekt juridik dhe i dha kohë deputetëve edhe 34 ditë që ta zgjedhin të parin e shtetit.