Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shpreson që të ndryshojë qasja e opozitës sa i përket Presidentit, duke përgatitur kështu terrenin për ta fajësuar opozitën për këtë çështje.

“Qasja jonë është konstruktive, është kreative, është aktive, por shpresoj që kësaj radhe do të ndryshojë qasja e opozitës dhe propozimeve tona sikurse herën e kaluar që iu përgjigjen me refuzime nuk do t’i kenë më pjesë të identitetit që na bëri t’i quajmë bllok opozitar”, ka thënë Kurti për gazetarë të martën, duke shtuar se janë në pritje të certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit.

“Për çështjen e Presidentit, zgjedhjen e Presidentit ose Presidentes, ne këtë nuk mund ta bëjmë vetëm, për shkak se nevojiten 80 veta aty në sallë në kuorum në bazë të një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese që të ju them të drejtën ka pasur tejet shumë interpretime kritike kredibile sepse ne e dimë se Gjykata Kushtetuese nuk do duhet ta rishkruaj Kushtetutën, as ta amandamentojë atë, por do duhej vetëm ta interpretojë atë”, shtoi ai.

Për të ecur përpara, ai theksoi se “ka nevojë që të përfundojë sjellja refuzuese e opozitës, ndërkohë që ne e kemi në karakterin tonë si Lëvizje prej se ekzistojmë e jemi bërë 21 vjeç këtë muaj që të jemi, edhe njëherë po e ritheksoj, kreativ, konstruktiv, aktiv”.

Zgjedhjet e 7 qershorit u mbajtën për shkak të moszgjedhjes së Presidentit. Sipas rezultateve të deritanishme, kur janë numëruar 92.86 për qind e votave, Vetëvendosja ka 52 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 22, Lidhja Demokratike e Kosovës 19 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7.