Po zhvillohet raundi i dytë i bisedimeve mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, për zgjedhjen e presidentit të ri.
Para takimit, Albin Kurti tha:
“Po shkojmë në takim për ta vazhduar dhe maksimalizuar përpjekjet, në mënyrë që java e ardhshme të kurorëzohet me sukses.”
Takimi po mbahet në Kuvendin e Kosovës dhe sipas burimeve të Vox Kosova, ka nisur rreth orës 16:00.
Para fillimit të takimit, PDK mbajti një mbledhje të kryesisë, ku anëtari Blerand Stavileci tha se partia nuk ka ende një emër konkret për pozitën e presidentit.
Ky raund vijon diskutimet që Kurti ka nisur javën e kaluar me PDK-në dhe LDK-në për zgjedhjen e presidentit. Raundi i parë i takimeve nuk solli rezultate konkrete, ndërsa Hamza pas tij prezantoi parimet e PDK-së për këtë çështje.









