Gatishmëria e Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për takime me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, jep shpresa se çështja e Presidentit mund të zgjidhet, ka thënë Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.

Këto komente, Konjufca i ka bërë për RTV21, ku ka bërë të ditur edhe se Kurti i ka bërë ftesë për takim Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.

“Siç e keni parë, ka ndodhur takimi tjetër i radhës mes kryeministrit Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Kryeministri Kurti i ka drejtuar letër edhe PDK-së. Do të specifikohet edhe më tutje nëse ky takim mund të ndodhë apo jo. Me Abdixhikun me sa e pash dhe përgjigja e tij ishte që ai është i vullnetit që takimet të vazhdojnë. Ky është një lajmi  mirë sepse i jep do perspektiva për mundësinë e zgjedhjes së një presidenti”, deklaroi Konjufca.

Kryediplomati kosovar shpreson në shmangien e zgjedhjeve të reja, për të cilat thekson se nuk do të prodhonin ndonjë ndryshim nga ato të shkurtit.

“Gjithmonë do të shpresojmë se kemi kapacitet dhe mençuri që të shmangim disa zgjedhje që u mbajtën vetëm katër muaj më parë”. Para katër muajve populli foli. Nuk është se ka ndodhur ndonjë ndryshim shumë i madh që populli të mos e ketë mendimin e njëjtë në zgjedhje. Populli ndryshon mendimin vetëm kur ndodhin transformime të mëdha”, shtoi ai ndër të tjera.

Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj për dekretin e ish-Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, konstatoi se dekreti i saj s’ka efekt juridik dhe u dha kohë deputetëve 34 ditë kohë që ta zgjedhin Presidentin.

Nga ky afat kanë mbetur më pak se 20 ditë. Nëse Presidenti nuk zgjidhet brenda këtyre ditëve, atëherë Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.