Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, kanë tërhequr kandidaturat e tyre për President.
Këtë e kanë bërë në seancën e së hënës, ku u diskutua për çështjen e Presidentit, e në të cilën prezent ishte vetëm Vetëvendosja.
“Tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës”, tha Konjufca.
Të njëjtën e pohoi edhe Kollçaku. “Edhe unë tërhiqem…”, potencoi ajo.
Tërheqja e Konjufcës dhe Kollçakut vjen një ditë para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit. Ata ishin propozuar në fillim të marsit nga VV-ja për pozitën e të parit të shtetit.
Por, në seancën e 5 marsit, nuk kishin arritur që të zgjidhen asnjëri për shkak të mungesës së kuorumit.
Vetëvendosja të shtunën kërkoi nga opozita që të propozojnë tre kandidatë për President. Lidhja Demokratike e Kosovës e propozoi Vjosa Osmanin, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës e refuzoi këtë ofertë, duke e quajtur manovër të Kurtit.









