Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve në seancën e sontme për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, duke e cilësuar procesin si shkelje të rëndë të Kushtetutës.
Në një komunikatë për media, LDK-ja ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka inicuar, siç thuhet, “përmbysjen e rendit kushtetues”, përmes nisjes së votimit pa kuorumin e nevojshëm.
Sipas kësaj partie, zhvillimi i votimit në mungesë të kuorumit përbën “sabotim të drejtpërdrejtë të Kushtetutës dhe vetë shtetit”, duke e cilësuar situatën si abuzim të hapur me institucionin e Kuvendit.
LDK thekson se veprimet e ndërmarra janë përpjekje për të imponuar një vullnet parapolitik, në kundërshtim me rregullat kushtetuese dhe demokratike.
“Republika nuk mund të merret peng. Rendi kushtetues nuk është i negociueshëm”, thuhet në reagim.
Në fund, kjo parti paralajmëron se për zhvillimet e sontme do të kërkohet përgjegjësi politike, institucionale dhe nacionale.









