Kjo është hera e fundit që Nicolas Maduro, ish-Presidenti autokrat i Venezuelës, u pa në publik derisa po dërgohej në Gjykatën e Qarkut të Manhattan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ishte 5 janari i këtij viti dhe tashmë për të 52-tën herë, Maduro ka çelur ditën në qelinë e tij në Qendrën Metropolitane të Paraburgimit në Brooklyn të ShBA-ve.

Arrestimi i Presidentit venezuelas dhe bashkëshortes në shtëpinë e tij me urdhër të Donald Trump-it fillim janarin e këtij viti u komentua shumë nëpër të gjitha mediat ndërkombëtare.

Por, çfarë po ndodhë me Maduron dhe të shoqen e tij, Cilia Flores, gati dy muaj pas arrestimit?

Dy ditë pasi zbriti në tokën amerikane, Maduro dhe bashkëshortja e tij, u dërguan me xhipa të blinduar dhe nën masa të rrepta sigurie në një nga gjykatat e Neë York-ut.

Të dy u deklaruan të pafajshëm ndaj akuzave për trafikim droge, terrorizëm narkotik dhe eksport të kokainës në SHBA.

Ai po vuan paraburgimin në një qendër ku më parë kishte qëndruar Ghislain Maxwell, ish e dashura e Jeffrey Epstein, Shawn P. Diddy, reperi i famshëm amerikan, e ku aktualisht, katër kate më poshtë qëndron edhe Luigi Mangione, i akuzuar për vrasjen e një biznesmeni të njohur amerikan.

Larry Lavine, një ish i burgosur në këtë qendër, thotë se Maduro jeton në një dyshek mbi një pllakë betoni, në të ftohtë dhe me shumë pak gjumë për shkak të kondicionerit dhe dritave që qëndrojnë ndezur gjatë gjithë kohës.

Ai po numëron ditët drejt përballjes së radhës me Alvin Hellerstein, gjykatësin 92-vjeçar që po trajton rastin e Presidentit të arrestuar në detyrë.

Përderisa Maduro po jeton mes katër muresh, i privuar nga liria, jeta në Venezuelë po vazhdon normalisht dhe rasti i tij nuk e ka vëmendjen që e kishte në fillim.

Zëvendëspresidentja Gelcy Rodrigez, që mori automatikisht pozitën e Maduros pas arrestimit të tij, dikur e konsideruar si një nga njerëzit më të besuar, tani po mban komunikime të vazhdueshme me administratën e Trump-it.

Madje, Rodrigez ka pritur në Venezuelë Sekretarin e Trump-it për Energji, Chris Wright,për të diskutuar rreth industrisë së naftës në Venezuelë.