Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që partitë politike të arrijnë një konsensus lidhur me zgjedhjen e Presidentit kur kanë mbetur edhe 10 ditë afat kushtetues, duke theksuar se është shumë e rëndësishme që vendi të mos shkojë në zgjedhje.

“Kjo javë është vendimtare. Uroj që të nisë me takime ndërmjet partive politike. Unë mirëpres çfarëdo kontributi të partive politike, grupeve parlamentare në raport me çështjen e zgjedhjes së Presidentit, për faktin se nuk kanë mbetur edhe shumë ditë, por në qoftë se ka vullnet mund të kryhet brenda shumë pak orësh. Prandaj i ftoj edhe sot, këtë të diel, që javën që e kemi para nesh ta shfrytëzojnë me takime, të cilat uroj të përmbyllen me një konsensus sa i përket emrit të presidentit”, ka thënë Haxhiu për gazetarët të dielën.

Haxhiu potencoi se nuk është përgjegjëse për të ftuar partitë politike në takim dhe se një gjë të tillë është duke e bërë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. “Takimet po ftohen nga Kryeministri Kurti, si Kryetar i partisë, si Kryeministër dhe si dikush që i ka mbi 50 deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, përkatësisht 66 me koalicionin që është bashkërisht”.

Në qoftë se partitë politike presin ftesa nga ajo si ushtruese e detyrës së presidentes, ajo tha se do t’i ftojë, por shtoi se nuk i ka parë ato që të refuzojnë ftesat e Kurtit. “Nuk kam parë që nuk pranohen ftesat nga Kryeministri Kurti, për shkak se ju e dini që në të kaluarën ka pasur probleme edhe në raport me këtë çështje, mirëpo tani mendoj që ajo çka duhet është që t’i përgjigjen pozitivisht ftesave të Kryeministrit Kurti, sepse ato mund të shërbejnë që të kemi një marrëveshje sa i përket çështjes së zgjedhjes së Presidentit apo Presidentes së ardhshme”.

Është shumë e rëndësishme që vendi, siç thotë ajo, të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. “Kemi shumë punë para vetes, jo vetëm për së brendshmi, por po ashtu edhe për zhvillimet jashtë vendit tonë. Prandaj duhet të jemi të vëmendshëm, duhet ta kemi parasysh interesin qytetar dhe jo, si me thënë, ndonjë interes individual apo grupor”, shtoi ajo.

Qytetarët, sipas saj, nuk i duan zgjedhjet në këtë moment. “Në dhjetor të vitit të kaluar ata kanë votuar për partitë politike, pra në këto zgjedhje, prandaj mendoj që askush nuk do të duhej të synonte që me veprimet e tyre ta çojnë vendin në zgjedhje”.

Ajo u ka bërë thirrje partive politike që të bashkohen për zgjedhjen e Presidentit. “I ftoj që të bashkohen, të unifikohen, e pastaj betejat për çështje të tjera i lëmë pas zgjedhjes së presidentit”.