Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka folur për marrëveshjen e arritur sot mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës që kandidati për president të jetë Bekim Sejdiu.

Hamza ka thënë se VV-ja dhe LDK-ja, matematikisht, i kanë numrat e nevojshëm për zgjedhjen e Sejdiut, por ka shtuar se mbetet të shihet nëse të gjithë deputetët e këtyre dy partive do të jenë të pranishëm dhe do të votojnë për të.

“Ata kanë negociuar që disa muaj. Kanë arritur marrëveshje, nuk e di a do t’i kenë numrat, matematikisht i kanë, por me qenë të gjithë prezentë dhe të votojnë është çështje e këtyre dy subjekteve”, tha Hamza.

Ai tha se PDK-ja nuk ka ndonjë qëndrim për kandidaturën e Sejdiut, pasi, sipas tij, ai nuk është propozim i kësaj partie.

“Nuk kemi ndonjë qëndrim për shkak se nuk është propozim i yni. E njohim z. Sejdiu, e njohim edhe angazhimin e tij në të kaluarën, kështu që nuk është figurë e panjohur për neve”, u shpreh ai.

Hamza tha se PDK-ja kishte kërkuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse politike, por se çështja e kandidatit për president nuk kishte qenë pjesë e tavolinës së diskutimeve.

“Ata kanë negociuar, ka negociuar VV-ja me LDK-në dhe ne kemi deklaruar pozicionin tonë, pozicioni ynë ka qenë i qartë. Kemi folur për marrëveshje gjithëpërfshirëse politike, nuk ka qenë në tavolinë kjo temë dhe kemi deklaruar se ne qëndrojmë në opozitë dhe do ta luajmë rolin tonë si parti politike në opozitë përbrenda Kuvendit”, tha Hamza.

Ai shtoi se PDK-ja do të vazhdojë të jetë opozitë, duke ofruar, sipas tij, kritika, qëndrime dhe alternativa për çështjet që lidhen me interesin e vendit.

I pyetur edhe për mundësinë e “rrjedhjes” së ndonjë vote nga Grupi Parlamentar i PDK-së për Bekim Sejdiun, Hamza tha se nuk pret që të ketë devijime nga qëndrimet e partisë.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar, pasi në dy tentimet e deritanishme nuk është arritur të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe të përmbyllet procesi i konstituimit të Legjislaturës së 11-të.

Seanca konstituive vazhdon të jetë në qendër të përplasjeve mes partive parlamentare, ndërsa dështimi për formimin e institucioneve po e zgjat krizën politike në vend.