Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka folur për votimin e ligjit për Gjykatën Speciale dhe mundësinë e kërkimit të votës për Presidentin në këmbim të tij.
Duke folur në emisionin “Tempus” në T7, Gruda tha se do të ishte e pandershme që PDK-së t’i kërkohej votimi i Presidentit në këmbim të votimit të ligjit për zhbërjen e Gjykatës Speciale.
Ai tha se shpreson që një kërkesë e tillë të mos bëhet, por shtoi se, edhe nëse ndodh, PDK-ja është në gjendje të bëjë gjithçka për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.
Gruda foli edhe për qëndrimin e LDK-së ndaj votimit të ligjit për Gjykatën Speciale.
Sipas tij, shqetësimet e LDK-së për vrasjet politike pas luftës janë të kuptueshme, por këto raste, siç tha ai, nuk janë pjesë e aktakuzës dhe vendimit dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“I kuptoj shqetësimet që i kanë njerëzit e LDK-së për vrasjet politike pas luftës, por asnjë nga vrasjet politike nuk është në aktakuzë dhe në vendimin dënues”, tha Gruda.
Ndërkaq, për Lëvizjen Vetëvendosje (VV), Gruda tha se krenaria e saj për faktin se nuk e ka votuar Gjykatën Speciale duhet të dëshmohet edhe përmes votës për propozimin e PDK-së.
“Nëse VV-ja krenohet sot se nuk e ka votu Gjykatën Speciale, është koha me e bo testin. Sa të sinqertë kanë qenë atëherë, matet me votën sot këtu”, shtoi Gruda.









