Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, dhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, do të takohen sërish sot.

VOX Kosova ka kuptuar se takimi do të realizohet në orën 16:00 dhe çështjet e diskutimit janë projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe çështja e presidentit.

Kryeministri i Kosovës, mëngjesin e së premtes, nga një ngjarje foli shkurt për media, ku tha se kanë nisur komunikimet me partitë për çështjen e Presidentit.

“Kemi filluar komunikimet dhe natyrisht që kjo fundjavë është vendimtare për të pasur një marrëveshje në mënyrë që javën e ardhshme të kemi President”, tha Kurti këtë të premte para gazetarëve.

Kujtojmë që Gjykata Kushtetuese, në vendimin e datës 23 shtator, ka konstatuar se afati për zgjedhjen e Presidentit do të skadojë më 6 tetor.