Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se e ka njoftuar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së tij për takim  për Presidentin në ditën e parë të verdiktit të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

“Duke qenë se çështja e zgjedhjes së Presidentit është tashmë në shqyrtim të Gjykatës Kushtetuese, duhet të kuptojmë se koha jonë politike ndalon përkohësisht, ndërsa koha e dëgjimit kushtetues merr fjalën në pavarësinë e saj. Duke respektuar këtë rend, pa procese të tjera politike paralele, i bëjmë nder jo vetëm vetes, por edhe Republikës dhe institucioneve që janë ndërtuar me shumë mund”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

Kreu i LDK-së tha se verdikti i Gjykatës duhet pritur me respekt të plotë institucional dhe me qetësi politike. “Një orë pas verdiktit, mund të takohemi sërish”, pohoi ai.

Ky reagim i Abdixhikut vjen pas deklaratës që Kurti bëri të premten, ku tha se do t’i dërgojë ftesë liderëve të partive politike për takim për të diskutuar në lidhje me çështjen e Presidentit.

Seanca e 5 marsit për zgjedhjen e Presidentit dështoi për shkak të kuorumit. Një ditë pas kësaj, Presidentja Vjosa Osmani shpërndau Kuvendin.

Ky vendim i Presidentes u mbështet nga partitë opozitare, por u kundërshtua nga Lëvizja Vetëvendosjes, e cila e cilësoi antikushtetues.

Kjo parti iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi masë të përkohshme deri më 31 mars.