Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nuk mund të kenë qëndrim për Vjosa Osmanin sa i përket mbështetjes apo jo për të edhe për një mandat si Presidente, pasi që, siç thekson ai, Vetëvendosja nuk ka kërkuar mbështetje për të.
“Nuk është kërkuar për asnjë moment deri më tani që të ndodhë një gjë e tillë. Asnjë takim deri më tani nuk ka pasur një kërkesë të tillë, prandaj s’mund të flasë. S’kemi pasur refuzim asnjëherë, por nuk është prezent një emër i tillë”, tha Abdixhiku për gazetarë pas takimit me Kryeministrin Albin Kurti.
Ai tha se partia që drejton nuk ka qëndrime refuzuese ndaj askujt, e aq më pak ndaj Osmanit.
“Nënshkrime LDK-ja nuk mund të ketë për askënd, sepse i ka vetëm 15, duhet 30. Neve nuk na ka ardhur askush me 15 nënshkrime për t’i kërkuar edhe 15 të tjera. Neve nuk na është propozuar asnjë emër për t’i kërkuar votat tona. Pra, në këtë fazë nuk kemi qëndrime refuzuese ndaj askujt, e aq më pak për zonjën Osmanin”, shtoi ai.
Ky është takimi i dytë që Kurti po e mban me Abdixhikun për çështjen e Presidentit. Po ashtu, dy takime i ka mbajtur edhe me Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.
Presidentja aktuale Vjosa Osmani, ka shprehur hapur synimin edhe për një mandat në krye të shtetit, mirëpo deri më tani nuk ka marrë mbështetjen e Vetëvendosjes, apo ndonjë subjekti tjetër politik.









