Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim mbi atë se kush duhet t’i ushtrojë kompetencat presidenciale pas përfundimit të mandatit të saj gjashtëmujor.

“Kemi kërkuar të përcaktohet se si dhe nga kush ushtrohen kompetencat e domosdoshme presidenciale pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore, kur presidenti i ri ende nuk është zgjedhur”, tha Zyra e Presidentes për REL-in.

Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj të nxjerrur më 23 shtator, ka konstatuar se afati 60 ditor për zgjedhjen e Presidentit të ri përfundon më 6 tetor.

“TË KONSTATOJË që afati gjashtëdhjetë (60) ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, sipas nënparagrafit 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.