“Kjo nuk është lamtumirë, por vetëm mirupafshim. Do të shihemi prapë. Do të dalim faqebardhë. Ky është premtimi im për ju”.

Kështu kishte deklaruar ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kur kishte dhënë dorëheqje nga pozita e të parit të shtetit, pasi që iu kishte ngritur aktakuza për krime të pretenduara lufte nga Gjykata Speciale me seli në Hagë të Holandës.

Thaçi kishte thënë se për të mbrojtur integritetin e shtetit të Kosovë, po jep dorëheqje, pasi që s’mund të pranonte që para gjyqit të dalë Presidenti i Kosovës.

“Ashtu të dashur qytetarë, siç kam premtuar, nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë Presidenti i Kosovës. Prandaj, për të mbrojtur integritetin e Presidencës së Kosovës, integritetin e shtetit të Kosovës dhe dinjitetin e qytetarit të Kosovës, popullit të Kosovës, duke respektuar edhe partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare, unë sot jap dorëheqje nga pozita e Presidentit të Kosovës”, deklaronte Thaçi më 5 nëntor 2020.

Ai thoshte se ndihet krenar me përgjegjësitë që ka bartur në këto tri dekada në pozicione, kapacitete dhe përgjegjësi të ndryshme institucionale të besuara nga vullneti i votës së lirë të qytetarëve të Kosovës.

Trupi Gjykues i Speciales do të shpallë aktgjykimin ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, dhe Jakup Krasniqit më 16 shtator.

Para kësaj, më 12 shtator, në Prishtinë, do të mbahet “Marshi për Liri”, i thirrur nga Platforma “Liria ka Emër”, në mbështetje të të akuzuarve të Hagës.

Të katër krerët e UÇK-së ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga 5 nëntori i 2020-së.

Prokuroria e Speciales ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin nga ta. Nga ana tjetër, krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.