Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 28 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare. Këtë e bëri të ditur në një konferencë për media të enjten.
Osmani pas takimit me partitë politike, ka thënë se ato janë deklaruar kryesisht për dy data: 21 dhe 28 dhjetor.
“8 parti janë deklaruar për datën 28 dhjetor, 5 parti janë deklaruar për datën 21 dhjetor. Kurse tri parti kanë thënë që cilado nga këto data është në rregull”, tha Osmani.
Duke qenë se sot ka shpërndarë Kuvendin, Presidentja Osmani theksoi se data 11 janar është përjashtuar si mundësi, “sepse është jashtë afateve kushtetuese që do të më lejonin ta shfrytëzoja”.
“Sa i përket datës 4 janar, atëherë KQZ-së do t’i lejohej që të përdorë vetëm 1/12 e buxhetit të saj, që i bie në maksimum 1 milion apo 1.5 milion, përderisa për këto zgjedhje është kalkuluar që mesatarisht do të kushtojnë 8 milionë”, shtoi.
Në këtë drejtim, Osmani u kthye te data 21 dhjetor dhe 28 dhjetor, të cilat tha se mund të bëhen sipas Kushtetutës. Ajo ka vlerësuar se data 28 dhjetor është më e duhura për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Rrjedhimisht, data 28 dhjetor është data që kam vlerësuar se mbetet data e vetme e mundshme, sado që edhe kjo datë paraqet sfida për KQZ-në”, theksoi ajo.
Pas takimit që patën me Presidenten, partitë e opozitës – PDK, LDK dhe AAK – kanë bërë me dije se i kanë propozuar datën 21 dhjetor për mbajtjen e zgjedhjeve, ndërsa VV-ja ka propozuar 28 dhjetorin.









