Me stilin e fjalimeve të gjata si majtistët e Amerikës Latine, Albin Kurti për gati 2 orë rresht u predikoi të pranishmëve se si do t’i bëjë të gjitha ato që s’i bëri në 6 vjet qeverisje.
Por, fjalimi i menduar si prezantim i premtimeve që do t’i mbajë, u përkthye më shumë në rikujtim premtimesh që s’i ka mbajtur dot.
“Shtet që lidh aleanca dhe forcon partneritete”, tha Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në prezantimin e planprogramit të dielën në Prishtinë.
Për 6 vjet, aleancat në të vërtetë janë dobësuar, me veprime të tij që çuan në ndaljen e Dialogut Strategjik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sanksione politike e financiare nga Bashkimi Evropian dhe pezullim nga pjesëmarrja në ushtrimin ushtarak “Defender Europe”, një nga stërvitjet më të rëndësishme strategjike për vendin.
“Shtet energjetikisht i qëndrueshëm dhe ekonomikisht i pavarur”, deklaroi Kurti.
Si asnjëherë më parë prej 2008-ës, me Kurtin qytetarët u përballën me reduktime verës dhe dimrit, investimet në energji munguan, faturat e rrymës u shtrenjtuan disa herë dhe gati 1 miliard euro para të taksave të qytetarëve shkuan në kontot e kompanive nga Serbia, që importojnë energji, si ajo e Vuk Hamoviqit, si dhe kompani të tjera të lidhura ngushtë me pushtetin si NOA dhe ETMT.
“Shtet me infrastrukturë, hekurudha dhe diga”, shtoi Kryetari i VV-së.
Ky është ndoshta dështimi më spektakolar i Kurtit. Asnjë projekt madhor në infrastrukturë nuk e përfundoi. As autostradën për Gjilan, për Podujevë, për Mitrovicë, as rrugët për Pejë e Gjakovë, as Prizren-Tetovë. Njëjtë edhe në hekurudha.
“Themelim i Byrosë për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme për të shëruar plagët e korrupsionit dhe pasurimit të paligjshëm”, nënvizoi përsëri Kryeministri në detyrë.
Kjo është plotësisht e pavërtetë.
Byroja që prezantohet si mekanizëm kundër korrupsionit, në praktikë nuk sekuestron dhe nuk konfiskon pasuri. Kompetencat e saj mbeten të kufizuara dhe kryesisht mbikëqyrëse dhe analizuese.
“Shtet që ruan dinjitetin e luftës çlirimtare dhe kujtesën kolektive”, tha Kurti.
Këtë rresht e tha, derisa në rend të parë të dëgjuesve kishte Donika Gërvallën që furnizoi Gjykatën Speciale me dosje…
Fatos Gecin që u dëshironte burgim të përjetshëm krerëve të UÇK-së.
Dimal Bashën që shkroi punim shkencor duke e prezantuar UÇK-në si organizim kriminal.
E madje, vetëm një ditë pasi vetë aludoi në udhëheqës të UÇK-së si zullumqarë e hajdutë.
Por, s’ka asgjë për t’u çuditur më me Kurtin.
Prejse ai është njeriu më i votuar në Kosovë jemi mësuar të dëgjojmë premtime që nuk mbahen, politika që nuk aplikohen, fjali plotë kundërthënie dhe zotime që harrohen.
Do të vazhdoja edhe më shumë, por…
“E kam pas edhe një faqe tjetër, nuk po e di ku më ka mbetë me zotime”, tha Albin Kurti pasi lexoi zotime për rreth një orë e gjysmë.








